Entra/Login



Inserire Nome utente e password forniti dall'amministratore del sito.
Vetam Arbëreshë Campera - Recensioni
Recensioni - 2 PDF Stampa E-mail
Scritto da Tommaso Campera   
Martedì 10 Agosto 2010 11:45
Indice
Recensioni
... fuqia jetëprurëse e erosit
Il Dialogo - Al Hiwar
Fjala e Lire
Forumi Virtual
Basilicata, novembre 2008: 1° Festival delle lingue di minoranza.
POETI IN AIA, Carignano (TO)
Katundo, il sito web di San Marzano di San Giuseppe (TA)
Prof. Edmond Çali, Roma 12 marzo
Tutte le pagine

  TOMAZO KAMPERA: FUQIA JETËPRURËSE E EROSIT

Zakonisht, kur flasim për lëtërsi arbëreshe të vjetër a të re ajo që na vjen ndër mend është Arbëria Klasike e Varibobave e Ketave, De Radave e Darave, Santorëve e Skironjëve, ku shkrimet arbëreshe lulëzuan e pak a shumë lulëzojnë edhe sot. Por, ka, në Itali, edhe një Arbëri tjetër, a më mirë, një pjesë tjetër të Arbërisë së njëjtë që nuk përmendet në historitë e letërsisë, ngase ka mbetur si e heshtur, në kuptimin se deri në ditët tona s’na ka lënë ndonjë trashgimi letrare të njohur. Ndryshe nga pjesa kalabreze e siciliane, ku Kolegji Korsini-Sant’Adriano e, përkatësisht, Seminari greko-shqiptar qenë vatra të fuqishme të kulturës arbëreshe, kjo pjesë Arbërie e shpërndarë në Pulje, Bazilikatë, Moliz, Kampani, e deri në Abruce nuk pati në historinë e vetë ndonjë institucion kulturor që të zhvillonte atë rol, kështu që në ato vise nuk kujtohet të ketë pasur ndonjë përpjekje të rëndësishme në fushën e lerërsisë arbëreshe të shkruar. Mirëpo, kjo s’do të thotë se kultura arbëreshe atje vdiq. Në fakt, edhe në Kalabri e Sicili kultura e lëtersia arbëreshe  të shkruara ishin dukuri elitare, pra mbijetesa e arbëreshëve si të tillë deri më sot është meritë që vetëm shumë pjesërisht mund të u ngjitet atyre, kurse për pjesën më të madhe meritën e ka trashgimi gojor i kulturës popullore. Prova e provuar e këtij pohimi, që ndokujt mund t’i duket i sipërfaqshëm, është fakti se kriza e rëndë e kulturës arbëreshe filloi me shkollimin masiv të fëmijëve e të rinjëve, që shënoi prerjen e tashgimit gojor e pra zëvendësimin e kulturës arbëreshe me atë italiane të shkruar të mësuar në shkollë (për më shumë, kthehuni te numrat e ars-it të muajve prill e maj 2004).  Rrjedhimisht, pavarësisht nga trashgimia e shkruar, që edhe sot e kësaj dite e trashgon një elitë (pak më e gjerë se në të kaluarën por prapë elitë), Arbërinë mund ta quash të gjallë a të vdekur varësisht nga sa mbijeton nga gjuha e kultura gojore e sa vullnet kanë arbëreshët për ta rimëkëmbur kulturën e gjuhën amtare të vetë. Nga ky hulumtimi im i kujdesshëm rreth krijuesve arbëreshë të ditëve tona  të gjalla dalin të jenë pa asnjë dyshim edhe pjesët jo kalabreze e jo siciliane të Arbërisë, ku vitet e fundit erdhi duke u krijuar një lëvizje e fuqishme për ruajtjen e rimarrjen e gjuhës e të traditës, e cila shprehet me anë të revistave si Kamastra, që botohet në Portkanun (it. Portocannone, në provincën e Kampobassos; drejtoreshë Fernanda Puljeze) e Basilicata Comunità Arbëreshe, që botohet në Barill (it.  Barile, në provincën e Potencas; drejtor Donato Maceo) si dhe me fillimin e një krijimtarie letrare që ende po i kërkon format e hapësirat veta, por pa dyshim dëshmon një vullnet të patundur për t’i qëndruar asimilimit. 

Pikërisht nga kjo Arbëri që po përjeton Rilindjen e saj të parë vjen autori i vjershave të mëposhtme, me një veçanti më tepër: ai është përfaqëseus i diasporës së diasporës arbëreshë. Në fakt, Tomazo Kampera, i lindur para 55 vjetësh në Mashqit (it. Maschito, në provincën e Potencës), pinjoll i një familjeje arbëreshe të lashtë e fisnike, jeton që nga viti 1964 në  Italinë veriore, saktësisht në Chieri, në provincën e Torinos, ku është titullar i një ndërmarrjeje të sektorit të ndërtimtarisë e merret edhe me pikturë. Si piktor mori pjesë në shumë ekspozita. Por, më e rëndësishmja për ne – dhe besoj se emri i vendbanimit të tij diçka tashmë ka zgjuar në mendjen e lexuesit të kujdesshëm të ketyre faqeve – ai është zëvendëskryetar dhe sekretar i asaj shoqate “Vatrarbereshe” që në Kieri organizon, ndër të tjera,  konkursin letrar “Princ Gjergj Kastriot  Skëndërbeu”, nga kaluan shumë ndër autorët  e paraqitur në “Premisa”-t. Kohët e fundit, po shoqata “Vatrarbëreshe” përveç antologjisë së fituesve të konkursit letrar tashmë 4vjeçar, botoi si “Fletore” të veten nr.1 një përbledhje dymbëdhjetëvjershash dygjuhëshe (arbërishte/lëtishte) të Tomazo Kamperas, me titull “Poesie Insolite” (Vjersha të Pazakonta) që na e zbulon veprimtarin e palodhur të kulturës arbëreshe edhe si poet.

Ndonëse e vogël, përmbledhja ka rëndësinë e vetë në panoramën e letërsisë arbëreshe bashkëkohëse jo vetëm përse autori është prej asaj pjese të Arbërisë që vetëm tani po fillon të shfaqet në skenën kulturore me tipare të vetat, por – e sidomos - sepse shumicën e “Vjershave të pazakonta” të Kamperas mund t’i quajmë vjershat e para hapur erotike të letërsisë arbëreshe. Në fakt vjersha të tilla, që nganjëherë rrezikojnë të shkasin përtej atij kufiri të hollë që ndan erosin nga pornografia, s’u lexuan kurrë në letërsinë e shkruar të këndej Adriatikut. Vërtetë, një rrymë disi erotike lerërsia arbëreshe e njeh që herët. Pa dashur të bëj krahasime që mund të tingëllojnë si blasfeme, një shembull i tillë i shkëlqyer  janë vargjet 12-20 të Këngës së katërtë të botimit të parë të Milosaos (1837) të Jeronim De Radës, ku, duke përshkruar me zotësi poetike të rallë takimin e parë midis Rinës e Milosaos, Poeti i madh shkruante “Va: Di moll të ardhura / qëntro, u tij t’i ruata./ me një dor ngrëjturith / mbanej mbi veshin e bardh / lesht e saj të shpleksurith. / Kalli jetërën te gjiri / E më holq mollëzit, / më ja vu ndë doriet / ndë çerët e dhezurëz”.  Aluzione poetike erotike, më tepër se erotizëm i hapur. E megjithatë në botimet e mëvonshme të poemës, De Rada ndjeu nevojën t’i “pastronte” ato vargje “të fëlliqura”, duke ndërruar gjirin e Rinës me sënduqin si vend nga vajza i hoqi mollët për t’ia dhënë të dashurit.  Duke ardhur në ditët tona, ndër poetët bashkëkohës, një frymë erotizmi të ngjeshur e gjejmë të shfaqet jo rallë, prapë me aluzione, në vjershat dashurie të Vorea Ujkos, si dhe –  le t’i lëmë në paqe Perënditë e papërmendshme te lëtërsisë – në disa vjersha të më njërëzorit Xhovani Trojano të botuara edhe në “ars”.  Mirëpo, aluzione të tilla e më të qarta i sugjeron me boll letërsia popullore e pikërisht nga humusi erotik popullor, të cilin tregon se e njeh mjaft mirë, më duket se u frymëzua Tomazo Kampera për vjershat e tij “afrodiziake” -  siç i quan ai vetë në parathënie - ku aluzioni  shpesh herë ia lë vendin fjalës së hapur. Personalitet i vrullshëm e krejt origjinal, Yni tregohet i vetëdishëm për guximshmërinë e rrezikshmërinë e përpjekjes së vetë, pra me anë të autorit të parathënies sikur kujdeset ta paralamërojë lexuesin se ka plane të ndryshme leximi e ta ftojë të shkojë përtej domethënies së menjëhershme të fjalëve për të kërkuar domethënien e tyre më të thellë, sepse mburrja e dashurisë fizike nënkupton doemos mburrjen e dashurisë shpirtërore që lidh dy veta e pa të cilën e para është thjesht ushtrim atletik e jo, si duhet të jetë, shkrirje trupash e shpirtrash. Se kjo është pikapamja e poetit e provon, prania, në të njëjtën përmbledhje, jo dhe aq e dy vjershave me teme etnike - që s’kanë lidhje me boshtin e saj kryesor por në librin e parë të një shkrimtari arbëresh gjithkush i pret - sa e një teksti krejt jashtë kontekti që ka tiparet e një lutjeje të mirëfillë ku autori paraqitet “pilikaç” lakuriq përpara Perëndisë me një përulësi që nuk është qëndrim i rastit por ndjenjë e sinqertë e një shpirti të kulluar. Në anën tjetër, si për ta parandaluar bujën që përmbledhja mund të ndezë në mjedise kulturore ku sundon ende një puritanizëm thelbësor e pjesërisht hipokrit, duke veshur rrobat e veprimtarit kulturor mbrojtës të pamposhtur të një gjuhe që po humbet, autori e merr përsipër plot përgjegjësinë e provokimit  të vetë të rëndë me të arsyetuar se synon të provojë se me gjuhën arbëreshe (arbëreshe, shikoni, çka do të thotë me çdo të folme arbëreshe të Italisë, sado e cunguar që të duket), po deshe, mund të shkruash për gjithçka. Të them të vërtetën, mua nuk më duket se Tomazo Kampera ka nevojë për ndonjë justifikim a përligjësim: secili krijues e zgjedh lëndën e vetë sipas ndjesisë  e frymëzimit të vetë e kur në përgjithësi arrin të rrahë një temë kaq të brishtë pa shkarë në fëlliqësi të rënda tregon edhe njëfarë mase mjeshtërie. Gjithsesi, po e patëm besë se qëllimi i tij është ai që shpall e jo, siç më duket, thjesht celebrimi i erosit si fuqi natyrore jetëprurëse, mund të themi se e arriti. Pa i heshtur të metat e pagdhenduritë e çdo sprove poetike të parë – për të cilat autori tregohet plotësisht i vetëdijshëm kur shkruan në parathënie se e propozon punën e vetë “pa ndonjë pretendim letrar” - tekstet në arbërishte kanë një harmoni estetike e një koherencë gjuhësore të  të veten, lirizmi shfaqet me nuanca përfshirëse e do të thosha delikate edhe në vjershat më të rrezikshme…. Presim sprova të tjera.

Nga ana ime, duke ju  propozuar “Vjershat e Pazakonta” a afrodiziake të mëposhtme, edhe unë marr përsipër plotë përgjegjësitë e mia, por, që të mos ketë keqkuptime a skandale, duhet të bëjë një saktësim: mbani parasysh se gjuha e Kamperas është e folmja arbëreshe e Masqitit, ku për sa i përket leksikut, ca fjalë të trasha që do të gjeni  s’e kanë atë ngarkesë fëlliqësie që kanë në shqipen e përtej Adriatikut a dialektetet e saj ose edhe në disa të folme arbëreshe të tjera.  Pra, në kontekstin e dhënë, janë fjalë të trasha, por jo tabu e si të tilla duhet t’i merrni.

Gjithashtu nga pikëpamja gjuhësore, përveç veçorive fonetike e morfologjike të katundit, lexuesi qoftë edhe jo shumë i kujdesshëm do të vërë re dobësimin e disa dallimeve rrasore e veçanerisht të dallimit emërore – kallëzore, dukuri që vitet e fundit po shfaqet në shumë të folme arbëreshe si ndikim i italishtes pa rrasa. Sa për drejtshkrimin, autori, autodidakt për shkrimin a arbërishtes, përpiqet t’i përmbahet sa më shumë fonetikës (shqiptimit) të gjuhës amtare, por mungesa e një pikëreferimi të qëndrueshëm e bën shkrimin e tij të luhatet në kërkim të një ekuilibri grafik ende të pagjetur. Me autorët arbëreshë duhet durim.

(Fonte: arbitalia.it)

Prof.ssa Kate Zuccaro Giornalista Ricercatrice della Cultura Arbëreshe ...



Ultimo aggiornamento Giovedì 02 Giugno 2011 21:59
 
Copyright © 2017 Vetam Arbëreshë Campera. Tutti i diritti riservati.
Joomla! è un software libero rilasciato sotto licenza GNU/GPL.
Design by Next Level Design Lizenztyp CC